Tirana ende nuk ka shpallur shtatoren fituese, e cila pritet të vendoset pranë Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa Vlora i kushton plakut të urtë shtatoren 7 metra të lartë.

Statuja e Ismail Qemalit

 

Ardit Rada

VLORË - Vepra është rezultat i bashkëpunimit të skulptorëve Zeqir Alizoti dhe Pëllumb Halili dhe është financuar prej Bashkisë së Vlorës

Askush nuk mund ta mohojë se mes Vlorës dhe Qeverisë ekziston një luftë e heshtur këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar. E ndërsa Tirana ka mbetur prapa për shpalljen e fituesve të monumentit të 100-vjetorit dhe shtatores së Ismail Qemalit, qyteti i Vlorës tashmë e ka një të tillë. Bashkia e qytetit bregdetar ka vendosur si çdo vit që festimet me rastin e 28 nëntorit të kryen në Vlorë, ndërsa veç aktiviteteve kulturore, në agjendën e saj është parashikuar dhe një shtatore mbi 7 metra e lartë e plakut të urtë të Vlorës. Shtatorja e cila është në fazën e përfundimit, ka një piedestal prej 2.7 metrash dhe pjesa tjetër e trupit të Ismail Qemalit do të jetë 4.2 metra. Ajo pritet të sillet në Tiranë rreth fundit të muajit gusht për t’u derdhur në bronz dhe e gjithë vepra kap vlerën e 12 milionë lekëve të reja. Prej kohësh, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika ka deklaruar se qeveria nuk po bashkëpunon me bashkinë pasi synon mënjanimin Vlorës nga festa e 100-vjetorit. Ndërkohë, shtatorja e kryeministrit të parë shqiptar është një investim totalisht i Bashkisë Vlorë dhe një vepër e skulptorëve Zeqir Alizoti dhe Pëllumb Halili. Artisti Halili prej 20 vitesh jeton në Austri ndërsa iu përgjigj kërkesave të 100-vjetorit duke dhënë kontributin e tij sëbashku me skulptorin tjetër Alizoti. Ky nuk është bashkëpunimi i parë i dy artistëve. Inaugurimi i Ismail Qemalit pritet të zhvillohet më datë 28 nëntor të këtij viti. Vepra do të vendoset në Sheshin Pavarësia, pranë Universitetit “Ismail Qemali”, pikërisht në hapësirën kur dikur ndodhej busti i Hysni Kapos. 

Vlora me shumë Ismailë…

Krahas monumentit të ri që pritet të inaugurohet këtë vit, qyteti i Vlorës prej vitesh e ka nderuar figurën e dalë prej saj. Ismail Qemalin nuk e gjen vetëm në emrin e Universitetit, por edhe në qendër të qytetit. Bëhet fjalë për Monumentin e Pavarësisë i cili ndodhet në Sheshin e Flamurit. I lartë 17 metra, ky monument është vepër e tre skulptorëve Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri. Ai është i ndërtuar në vitin 1972 dhe i derdhur në bronz. Në qendër të tij është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar. Rreth tij janë të gdhendur 5 burra të tjerë me veshje nga krahina të ndryshme të vendit, që mbajnë në duar pushkët duke simbolizuar kështu qëndresën. Mbi to ndodhet i stilizuar trupi i një të riu që mban flamurin me shqiponjën dy krenare teksa valëvitet.

Në pritje shtatores së Tiranës

Konkursi Kombëtar për shtatoren e Ismail Qemalit që do të ngrihet në Tiranë është në pritje të projektit më të mirë. Në muajin maj juria që drejtohet nga Rubens Shima, vendosi që të përzgjedhë 5 artistë nga 19 pjesëmarrës: Ilirjan Shima, Pjerin Kolnikaj, Idriz Ballani, Ardian Pepa dhe Veli Blakçori. Këta të pestë duhej që në një fazë të dytë, të paraqesin secili nga dy bocete të reja. Sepse juria ka mbetur mjaft e pakënaqur imazhi i Ismail Qemalit që kanë sjellë artistët në të tërësi. Ata kishin tre muaj për të përpunuar figurën e themeluesit të Pavarësisë së Shqipërisë. Shima është shprehur që “pjesëmarrësit reflektojnë mosnjohjen e figurës si botë psikologjike aq edhe si fizionomi dhe ngjashmëri karakteri” dhe ata kanë cënuar rëndë imazhin e kësaj figure.

Duke mos patur asnjë vepër të denjë, konkursi është shtyrë. Por është shtyrë pak si tepër. Po kalojnë edhe muaji i tretë.

Vendimi i fundit i takon Komisionit Shtetëror të Festimeve i ngritur pranë Kryeministrisë. Shtatorja e Ismail Qemalit mendohet të vendoset në një mjedis të gjelbëruar, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me fytyrë nga Rogneri dhe në krah të zyrave të Kuvendit Popullor.

Skulptori Zeqir Alizoti ka ekspozuar në hollin e teatrit ‘Petro Marko’ tre variante të Ismail Qemalit, ndër të cilët u përzgjodh ai i pari. Shtatorja që do të vendoset në sheshin ‘Pavarësia’ tregon plakun e Vlorës i cili në njërën dorë mban xhaketën dhe në dorën tjetër mban mesazhin. Shtatorja ka një pamje ballore dhe pas Ismail Qemalit është i stilizuar flamuri kombëtar. Monumenti do të vendoset në sheshin ‘Skelë’, përpara universitetit të Vlorës dhe në shpinën e tij monumenti do të ketë fushë pamje nga deti. Në planet e skulptorit është edhe monumenti i Zenel Gjolekës, edhe ky i derdhur në bronz dhe i stilizuar mbi kalë.

Një 100-vjetor ‘Made in Vlora’

Duket se Vlora po ha ‘inat labi’ me pushtetin ekzekutiv sa i përket aktiviteteve dhe investimeve infrastrukturore në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë. E ndërsa në Tiranë, konkursi për shtatoren e Ismail Qemalit nuk ka përfunduar ende, Vlora tashmë ka gati një monument 7 metra të lartë të Plakut të Urtë. Ilir Metaj, drejtor i Kulturës pranë Bashkisë Vlorë, tregon për ‘Shekullin’ detajet e shtatores, shpenzimet për krijimin e saj dhe detajet për aktivitet më 28 dhe 29 nëntor.

Ilir Metaj Drejtor i Qendrës së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve Bashkia Vlorë

z. Metaj, Bashkia e Vlorës ka nisur ndërtimin e një shtatoreje të Ismail Qemalit në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kur mendohet të jetë gati ky monument?

Shtatorja dedikuar Ismail Qemalit po punohet nga skulptoret Zeqir Alizoti e Pëllumb Halili. Ajo do të jetë e derdhur në bronz dhe do të jetë rreth 7 metra e lartë. Do të jetë gati në muajin nëntor (me rastin e Festave të Nëntorit) dhe do të vendoset në Sheshin Pavarësia, shesh që po rikonstruktohet me financimin e Bashkisë Vlorë, ashtu si edhe vetë shtatorja, vlera financiare e së cilës shkon në 12 milionë lekë.

A nuk do të bjerë në kontrast kjo vepër me monumentin ekzistues në Sheshin e Flamurit?

Aspak!  Monumenti i Pavarësisë në Sheshin e Flamurit është një vepër që simbolizon aktin historik të shpalljes së Pavarësisë. Ndërsa shtatorja që do të vendoset këtë vit në Sheshin Pavarësia, është një vepër dedikuar vetëm figurës historike të Ismail Qemalit.

Kjo shtatore është i vetmi investim i Bashkisë së Vlorës në kuadër të 100-vjetorit?

Patjetër që kjo shtatore nuk është i vetmi investim që Bashkia e Vlorës ka planifikuar në 100 –vjetorin e Pavarësisë. Investimet e Bashkisë janë të karakterit infrastrukturor, psh rikonstruktimi i Sheshit të Flamurit, rikonstruktimi i Sheshit Pavarësia, nisja e punimeve për Shëtitoren e qytetit, ndërhyrja në fasadat e rrugës Vlorë-Skelë etj. Gjithashtu mund të numërojmë një sërë investimesh të karakterit artistiko-kulturor. Ne kemi planifikuar një numër të madh aktivitetesh artistike e kulturore, jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, një pjesë e të cilave janë realizuar duke filluar që prej muajit shkurt, po vazhdojnë  gjatë sezonit veror, për të arritur kulmin pikërisht në muajin nëntor.

A nuk duhej financuar nga qeveria ky monument?

Mendimi im është jo! Kjo shtatore, pavarësisht se i kushtohet një figure që është e të gjithë kombit  shqiptar, ka lidhje të veçantë shpirtërore me Vlorën. Në fakt, ne vlonjatët, mbase jemi posedues  pak më shumë seç  duhet, por Vlora duhet të kishte një vepër kushtuar Ismail Qemalit, që të ishte totalisht “Made in Vlora”.

Sa i përket financimeve të qeverisë, do të ishte në nderin e saj, përveçse e ka për detyrë, që të paktën në vitin e 100 të Pavarësisë, të kishte firmën e saj në rikonstruktimin e Sheshit të Flamurit, që nuk është thjesht “një shesh në Vlorë”, por është sheshi i të gjithë kombit.  Do të ishte në nderin e qeverisë gjithashtu, që të paktën qyteti ku u shpall Pavarësia të kishte një shëtitore të denjë. Për të mos vazhduar me mungesën e Unazës së Madhe të qytetit, etj. E kam thënë edhe më parë, që qeveria  e Saliut ka qenë aq ‘dashamirëse’ me Vlorën, saç ka qenë edhe qeveria turke me Ismail Qemalin.

Me herët, shoqatat patriotike të Vlorës e kanë akuzuar qeverinë se po mundohet t’i marrë qytetit stafetën e festimeve…

T’iu marrësh vlonjateve stafetën nga dora?! I lëmë supozimet fantastike.

Perse ky vendim i qeverisë për t’i zhvendosur festimet në kryeqytet?

Është e dhimbshme, por edhe e kuptueshme.  Një gjë duhet theksuar, që 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë duhet të festohet patjetër jo vetëm në të gjithë Shqipërinë, por në çdo cep të botës ku jetojnë shqiptarë. Në këtë kontekst, festime duhet të këtë sigurisht në kryeqytet, por qendra e tyre duhet të jetë pikërisht në origjinën e Pavarësisë, në Vlorë. Është e sigurtë, që të paktën në  vitin e 100 të Pavarësisë, Vlorën e ndjejnë si kryeqytetin e tyre  edhe vetë tiranasit.

Vlera e shtatores sigurisht që është më e lartë se financimi. Si u arrit marrëveshja me skulptorët?

Skulptoret janë vlonjate. Të gjithë vlonjatet lindin me zemër të madhe dhe ushqehen me patriotizëm.

g.shekulli.