LULËKUQE, THEKËT BLU

Posted: 5th Gusht 2012 by vlonjat in Poezi

LULËKUQE, THEKËT BLU

(Poemth, Vlorës)

Të kujtohet sa u lodhe

Për të hyrë në histori?

Ngjarjet që me gjakë i shkrove

Të dhanë emër e lavdi.

 

Flamurit që kishte rënë

I dhe frymë nga fryma jote.

Me gjakë e ngrite në këmbë

Dhe pastaj me gjakë e mbrojte.

Njëzeta* qe desh ta griste

Të grisi dhe ty në zemër.

Përmbi tela vetëtite,

Shqipen e bëre me emër.

 

Të kënduam “VLORA – VLORA”

Rreziku troket në derë

Dhe ti prap ja bëre forra,

Shpalose guxim e vlerë.

 

Legjendë e rritur në zjarre,

Flakë e bëre, vetëtimë.

Shtrove guna, hape varre,

Më lartë e ngrite lavdinë.

 

Të thirri tridhjetë e nënta*

Syri në shënjestër ngriu.

Që të mos lëngonte nëna,

Vetëtima shkrepëtiu.

 

Zjarrin e shove me zjarr,

Flaka të dogji, të treti.

Po lavdia u bë mal,

S’ pyet kështjella nga tërmeti.

 

Këto bukuri te rralla,

Lulëkuqe, thekët blu,

Na vijnë stoli të gjalla,

Sup me sup, e gju me gju.

 

I shkon shumë ky pozicion

Shtatit tënd rritur në zjarr.

Kujt s’të do e të sulmon

I vërsulesh si “e marrë”.

 

Fund i shekullit që shkoi

“Në emër të Shqipërisë”,

Keqas desh të ngatërroi

Ti vije shqelmin lavdisë.

 

Zjarri ndezur nga të tjerë

Dhe gjaku si në thertore,

Të thirri kur u bë vrerë,

Ta shuaje me gjakë Vlore.

 

“Shefat” ta njohin më mirë

Genin ndezur për atdhe,

Kur vuan për të qënë i lirë

Dhe i duhet zgjidhje e re.

 

Prandaj te duan me vehte,

T’i stolisësh nëpër mote,

T’u thurësh elozhe, bejte,

T’u japësh nga hija jote.

 

Nga hija jote e rëndë

Që rrëzon dhe nbretëri.

Nga fjala që të zë vend

Për liri e histori.

 

Ruaje të pastër lavdinë,

Pasuroje me lavdi.

Me lule per Shqipërinë,

Të ket dritë e nur të ri.

 

Ruaji bukuritë, të rrojnë

Dhe emrin ruaje për vehte.

Janë të rralla ndaj i çmojnë,

I ruajnë në gji dy dete.

Qerim Skënderaj

http://www.qerimskenderaj.com/