Linjë e re Vlorë-Korfuz,

Posted: 13th Korrik 2012 by nail in Sociale

Pas problemeve në transportin e udhëtarëve, flet drejtorja e Portit të Vlorës, Fato Nuredini

 Prej dy muajsh në portin e Vlorës operon vetëm trageti “Red Star”, pasi  përpara kësaj periudhe është larguar trageti tjetër i linjës “Ionian Spirit” i kompanisë greke “Agoudimos Line”. Në këto rrethana shumë bizneseve nga Vlora, por edhe qytete të jugut, u është dashur të udhëtojnë nga Porti i Durrësit. Drejtorja e Portit, Fato Nuredini ka deklaruar ekskluzivisht për gazetën se më 20 qershor, rihyn në linjë trageti “Agoudimos Line”. Në periudhën e fluksit do të shtohet edhe “Europiani”, që ka operuar në fund-javë në linjën Vlorë-Brindisi.

Pse u largua ky traget nga linja?

Me palën shqiptare ai ka qenë në rregull, me dokumentacionin e rregullt dhe korrekt, problemet i ka pasur në Brindisi, me portin, me gjykatën e qytetit e telashe të tjera. Nga ana jonë, që nga dita që ka munguar, që është data 24 prill, ka sjellë justifikimet me dokumentacion të rregullt, duke i sjellë nga Igumenica, ku ishte në remont kapital, çka e përligj mungesën e tij në linjën Vlorë-Brindizi. Në këto rrethana ai është i mirëpritur të rifillojë udhëtimet, sikurse përmenda më lart, konform të gjitha rregullave që kërkon ligji.

Pati fjalë për futjen e një kompanie italiane në linjë SNAV. Përse nuk ratë dakord?

Po, është e vërtetë që kompania e njohur jo vetëm në shtetin fqinjë, Itali, por edhe në Evropë në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mjeteve SNAV, me seli në Napoli, na bëri zyrtarisht një kërkesë drejtorisë së Portit, por edhe Ministrisë së Transporteve, për t’u future në linjë. Ishte një traget me kapacitete shumë herë më të larta se këta që operojnë në këtë linjë, ishte një traget luksoz, që në të vërtetë e meriton Vlora, por u gjendëm përballë një kushti, që ne nuk e pranuam.

Cili ishte kushti?

Nga kontaktet që patëm, pasi përfaqësues të kompanisë erdhën disa herë dhe bënë bisedime në drejtorinë e Portit, u njohën me të gjithë dokumentacionin, informacionin, ranë dakord në parim që të futen në linjë, por agjencia që do të lidhte kontratën me këtë kompani, që përfaqësohej nga Alim Musaraj, kërkoi që  të bëhej një akt-marrëveshje me portin, që të mos lidhte kontratë me asnjë kompani tjetër dhe kjo të ishte e vetmja që të operonte në linjën Vlorë-Brindizi, për një periudhë prej 18 muajsh. Po kjo ishte e pafalshme, nuk kishte shkak që të largoheshin tragetet e tjerë. Porti është i interesuar që të vijnë sa më shumë tragete, të ketë konkurrencë, në mënyrë që të bjerë çmimi i biletës deri në 25 euro. Kompania refuzoi me pretekstin se nëse veprohet në këtë mënyrë si kërkon drejtoria e Portit, falimentojmë. Lajmi i mirë  është vënia në punë e linjës Vlorë-Himarë-Korfuz.

Cila është kompania dhe sa herë në javë do të përshkohet ky itinerar?

Është trageti i linjës Sarandë-Korfuz dhe 2-3 ditë në javë do të hyjë në këtë linjë. Do të ankorojë në portin e Vlorës në orën 7.30-8 të mëngjesit dhe kthehet në mbrëmje. Kjo bëhet për herë të parë dhe ndjehemi të kënaqur që plotësuam kërkesat e herëpashershme të qytetarëve që e kërkonin këtë linjë. Udhëtimi i parë do të bëhet më 1 korrik dhe në 15-ditëshin e parë do të jetë dy herë në javë, më pas 3 herë-4 herë, apo edhe ditë për ditë, varet nga fluksi. E veçanta e këtij trageti është se do të transportojë vetëm pasagjerë dhe jo automjete sikurse ndodh në tragetet e tjerë

Po me terminalin, ç’po bëhet?

Javën e ardhshme do të vihet në funksionim terminali i udhëtarëve. Është një investim që jo vetëm ka ndryshuar pamjen e jashtme të Portit, por mbi të gjitha, do të bëjë më funksional e përmirësojë ndjeshëm punën për përpunimin e pasagjerëve. Po kështu një tjetër investim është edhe terminali për përpunimin e autoveturave, në krah të terminalit, që bashkë me terminalin e pasagjerëve do të vihet në funksionim të plotë, duke përballuar edhe fluksin në rritje të pasagjerëve.

g.telegraf.