Një konflikt me thika në një nga lokalet e plazhit të Vlorës për pak sa nuk i ka marrë jetën kamerieres. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në zonën e Plazhit të Vjetër, ku ndërhyrja e policisë ka bërë të mundur parandalimin e vrasjes.
Sipas policisë së Vlorës, Elis Dollani është konfliktuar për motive të dobëta me kamerieren A. K., të cilën fillimisht e ka dëmtuar duke përdorur një mjet të mprehtë (thikë) dhe më pas ka marrë armën e zjarrit automatik, të cilën nuk ka mundur ta përdorë, për shkak të ndërhyrjes së menjëhershme të uniformave blu.
Dollani është arrestuar në flagrancë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik model 56 (kallashnikov) me krehër me fishekë, si dhe një thikë.
Gjithashtu, nga kontrolli i mëtejshëm i ushtruar në banesën e këtij shtetasi janë gjetur edhe 55 fishekë të tjerë luftarakë model 56, si dhe 11 rrënjë bime narkotike e ngjashme me atë të llojit kanabis sativa, të cilat i kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë me gjatësi rreth 1 m.
28-vjeçari Dollani rezulton i dënuar më parë 2 herë për “Vjedhje” dhe “Kanosje” me armë zjarri. / Anila Peçi
