Print

Çlirohet Flamurtari, por Vllaznia zhytet në krizë

Written by webmaster on . Posted in Futboll

Joomla
Joomla

Wordpress
Wordpress

Flamurtari arrin fitoren e parë këtë sezon, duke i shkaktuar njëkohësisht Vllaznisë edhe humbjen e katërt në këtë sezon futbollistik. Për skuadrën e trajnerit Levi kanë ardhur tre pikët e para, në një ndeshje ku 45 minutat e dyta janë luajtur mes rrebeshit të fortë, por që nuk ka penguar vlonjatët të ngjiten tashmë në kuotën e katër pikëve. Një fitore edhe morali për Flamurtarin, që tashmë mendon për takimet e radhës, ndërsa pozita e Vllaznisë vijon e rëndohet edhe më shumë pas javës së katërt.

PJESA E PARË – Nis me vlonjatët në sulm, që hedhin menjëherë vështrimin nga gjysmë fusha e Vllaznisë, por pas një gjuajtje me kokë të Tskhadadze, janë shkodranët që rrezikojnë me Shtubinën. Pas këtij momenti Flamurtari merr frenat e lojës në dorë dhe kërkon të realizojë sa më shpejt.

Gol i cili nuk vonon, pasi në minutën e 19-të Greca shënon golin e parë për Flamurtarin, por edhe të parin e tij personal me fanellën e kuqezi, pas një aksioni të nisur nga Telushi. Gol i cili i jep qetësi Flamurtarit, ndërsa festohet shumë në pankinë. Një avantazh që çliron psikologjikisht vlonjatët, ndërsa Shtubina ka një tjetër mundësi, por pa rezultat. Mesfushori Nijaz Lena mund të kishte shënuar sërish për Flamurtarin, pas një aksioni personal të tij, por gjuajtja është e lehtë për portierin e Vllaznisë. Ndërsa Krymi ka mundësinë më të mirë për shkodranët, po aq sa e bukur ishte gjuajtja e lojtarit të Vllaznisë, po aq e mrekullueshme ishte edhe pritja e portierit Halili që  lë në fuqi avantazhin e Grecës. Flamurtari sheh se duhet të mbyllë takimin dhe ndodh pikërisht kështu, kur tre minuta nga përfundimi i pjesës së parë, Idrizaj jep një top mjaft të bukur dhe të saktë për Tskhadadze që nuk fal dhe me kokë realizon. 2-0 për vlonjatët, që duket se e kanë mbyllur këtë takim që në 45 minutat e para.

PJESA E DYTË – Me rifillimin e takimit, një rrebesh shiu nis e të pushtojë edhe fushën e rikonstruktuar të stadiumit “Flamurtari”, duke e bërë më të vështirë lojën për të dyja skuadrat. Fatmirësisht që tapeti është i ri, duke lejuar që ndeshja të zhvillohet, pavarësisht se shfaqen për shkak të reshjeve të shumta probleme në qarkullimin e topit. Vllaznia ka humbur në fund të pjesës së parë Krymin, duke hedhur në fushë Ahmetin, ndërsa me fillimin e lojës, Zmijani hedh në fushë edhe Sefën, duke bërë që loja e Vllaznisë të ndryshojë pozitivisht. Megjithatë rastet janë të pakta dhe skuadrat provojnë kryesisht nga jashtë zonës, duke kërkuar të përfitojnë edhe nga terreni i rrëshqitshëm. Fillimisht provon Telushi nga një goditje dënimi, por Dragojeviç i thotë jo golit, ndërsa pak më vonë është Sefa për shkodranët që godet, por Halili dy herë rresht nuk lejon prekjen e rrjetës. Reshjet e vijueshme të shiut rëndojnë edhe më shumë fushën, por gjithsesi takimi vijon dhe mund të luhet sipas gjyqtarit Alla që lejon që gjithçka të vijojë. Megjithatë për shkak të reshjeve të shumta, futbollistët e kanë të vështirë të shkojnë te pasimi i fundit, duke bërë që të mungojnë edhe rastet në portat respektive. Momentet e fundit të ndeshjes i takojnë dy herë Yll Hoxhës që provon nga larg, por pa mundur të shënojë. Përfundimisht mbyllet 2-0 për Flamurtarin, që arrin fitoren e parë këtë sezon futbollistik, duke u ngjitur në kuotën e katër pikëve, ndërsa Vllaznia rëndon edhe më shumë pozitat në klasifikim, duke mbetur me vetëm zero pikë.

 

Autori i goli

 

Greca: Nuk do ndalem me kaq

 

Bedi Greca ka shënuar golin e parë për Flamurtarin, që i hapi edhe rrugën e fitores skuadrës vlonjate, ndërsa ishte edhe goli i tij i parë me fanellën kuqezi. Mesfushori i ardhur në Vlorë nga Tërbuni është shprehur i kënaqur me golin, por mbi të gjitha për fitoren. “Jam shumë i kënaqur me golin, por mbi të gjitha për tre pikët, pasi fitorja ishte detyrimi për ne dhe padyshim ishte i vetmi rezultat që kërkonim. Natyrisht kur shënon ndjehesh shumë i kënaqur, por nuk mbaron këtu, pasi tashmë gjithçka sa vjen e vështirësohet. Besoj se ky nuk do të jetë goli i vetëm për mua për Flamurtarin”, konfirmon për “Sport Ekspres” futbollisti.

 

Të veçanta

 

– Reshje të shumta dhe rrebeshi i shiut kanë ndikuar shumë në mbarëvajtjen e lojës, kryesisht gjatë pjesës së dytë, por takimi ka vijuar normalisht. Në disa vende të fushës ishte mjaft e vështirë, ndërkohë që në tapetin e stadiumit “Flamurtari” është luajtur për herë të parë pas rikonstruksionit.

 

– I pranishëm në tribunën “VIP” ishte edhe ish-kryebashkiaku dhe ish-presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ndërsa ka munguar administratori Sinan Idrizi. Nga ana e Vllaznisë të pranishëm ishin drejtues të skuadrës, Kalamishi dhe Grima, që në fund të takimit nuk janë dukur fort të kënaqur me atë çfarë arriti skuadra në fushën e lojës.

 

– Flamurtari rikthehet te fitorja pas një kohe relativisht të gjatë. Vlonjatët fitoren e fundit në një ndeshje kampionati e kanë arritur ndaj Elbasanit sezonin e kaluar më 25 prill në shifrat 2-0 dhe për koincidencë edhe atëherë fitorja erdhi pasi është luajtur sërish nën reshjet e shumta të shiut.

 

Zmijani: prodhuam lojë, të

vjen keq të humbësh kështu

 

Trajneri i Vllaznisë nuk dorëzohet: Situata është e rëndë, por unë nuk do të tërhiqem, do të vazhdoj të bëj punën time”

 

Nuk arrin dot të gjejë kthesën e shumëkërkuar Vllaznia, ndonëse për trajnerin Luan Zmijani skuadra prodhoi lojë dhe nuk duhet të humbiste kështu. Shkodrani shprehet se Flamurtari përfitoi vetëm nga dy gabime dhe sipas tij nuk bëri asgjë më shumë, ndërsa thekson se nuk ka ndërmend të tërhiqet edhe pse situata në të cilën ndodhet skuadra është e rëndë. “Ndoshta ju duket çudi, por Vllaznia ka prodhuar më shumë lojë se kundërshtari dhe mund të kishim fituar. Loja nuk iu përgjigj rezultatit 2-0, pasi u luajt futboll, patëm rastet tona, por për fat të keq, nuk shënuam. Flamurtari, në dy gabimet që bëmë ne, përfitoi dhe na shënoi dy golat. Nuk bëri asnjë gjë më shumë se ne. Të vjen keq të humbasësh kështu. Situata normalisht që është e rëndë, por unë nuk do të tërhiqem, do të vazhdoj të bëj punën time sa më mirë, për ta ngritur këtë ekip dhe për të dalë nga gjendja e vështirë, edhe pse nuk është aspak e lehtë”, – tha fillimisht Zmijani pas ndeshjes.

Duke folur për faktorët që kanë ndikuar në ecurinë negative të Vllaznisë, trajneri Zmijani thotë se gjendja psikologjike është e rënduar, ndërkohë që edhe fati sipas tij nuk ka qenë me kuqeblutë.

“Janë shumë faktorë dhe dihen tashmë. Përveç startit të keq, edhe gjendja psikologjike e futbollistëve është rënduar shumë. Në dy ndeshjet e fundit kemi luajtur mirë, por me Partizanin u pa si humbëm, në Vlorë nuk kishim fatin në anën tonë. Përpos këtyre, edhe problemet shëndetësore dhe dëmtimet i kemi pasur me shumicë. Gjithsesi, nuk është natyrën time të dorëzohem dhe do të shohim përpara, për të bërë më të mirën e mundshme në javët në vazhdim”, deklaroi Luan Zmijani.

 

Levy: Skuadra po rritet, 3

pikë që na japin qetësinë

 

Trajneri i Flamurtarit i çliruar: “Fituam vetëm një ndeshje ku duhet të merrnim 3 pikë, por sezoni është i gjatë. Duhet të punojmë shumë”

 

Ka çlirim në kampin vlonjat pas fitores së parë në kampionat. Më i gëzuari duket se është trajneri Stanislav Levi, i cili rrezikonte postin nëse nuk Flamurtari nuk fitonte mbrëmë. Për çekun kjo ishte një ndeshje që duhej fituar dhe se tani duhet parë se di do të reagojë skuadra në ndeshjet e ardhshme. “Nuk mund ta quaj një rikthim të Flamurtarit. Fituam vetëm një ndeshje që duhej të merreshin 3 pikë. Rikthimin e ekipit do ta shohim më pas, se si do të arrijë të marrë të tjera fitore, jashtë dhe brenda. Natyrisht, një farë çlirimi ishte, edhe sepse ishte ndeshja e parë përballë publikut tonë. Sa i takon lojës, futbollistët shfrytëzuam më së miri rastet që u krijuan. Ju e patë që në pjesën e dytë nuk mund të luhej më futboll, ndaj administruam rezultatin dhe ulëm tempin e lojës, kjo edhe për të mos dëmtuar lojtarët, pasi dihet, në terren të rrëshqitshëm mund të dëmtohesh në çdo moment”, – thotë trajneri i Flamurtarit, teksa shpreh bindjen se me kalimin e javëve skuadra po konsolidohet dhe po vjen në rritje. “E përsëris, ishte thjesht një fitore, ku morëm 3 pikët, që na japin qetësinë vetëm për momentin. Por sezoni është i gjatë, na duhet të punojmë shumë në të ardhmen. Janë luajtur vetëm 4 javë dhe lojtarët tani kanë filluar të lidhen me njëri-tjetrin, ndërsa pres konsolidimin edhe më shumë të lojtarëve. Me kalimin e kohës besoj se do të rrisim edhe më shumë nivelin tim. Sa i përket gjendjes sime shëndetësore, tani jam më mirë. Trajneri ka stresin më të madh dhe ndodh që të sëmuret, unë jam në dispozicion të ekipit 24 orë në ditë”, – ka deklaruar trajneri i Flamurtarit, Stanislav Levi.

www.sportekspres.com