Print

Popkhadze dhe Greca zyrtarisht te Flamurtari

Written by webmaster on . Posted in Futboll

Bedri Greca dhe Giorgi Popkhadze janë zyrtarisht lojtar të Flamurtarit. Paraditen e djeshme dy futbollistët kanë nënshkruar kontratën me klubin edhe pse akordi ishte arritur prej kohësh. Giorgi Popkhadze është mbrojtës i majtë që luan me skuadrën Kombëtare të Gjeorgjisë, ndërsa vjen në Vlorë nga kampionati polak, ku është aktivizuar me skuadrën Jagillonia Bialystok,ndërsa njihet mjaft mirë nga trajneri aktual i Flamurtarit Stanislav Levi. Madje ka qenë vetë kreu i pankinës vlonjate që e ka kërkuar futbollistin ta ketë në përbërje të ekipit që ai do të drejtojë.

Gjeorgjiani ka një karrierë mjaft të pasur, ku është aktivizuar edhe me Viborg në Danimarkë apo me skuadrën e njohur të Sturm Graz, ndërsa pas mbërritjes në Vlorë, pasditen e së premte, lojtari dhe klubi kanë kryer edhe veprimet procedurale.

Greca duke firmosur me Flamurtarin

Greca – Një tjetër lojtar që ka hedhur firmën në kontratë ka qenë edhe Bedri greca, i cili vjen që vjen nga Tërbuni, skuadër me të cilën në sezonin e kaluar realizoi më shumë se 15 gola si dhe duke e ngjitur ekipin në Superiore. Greca luan si mesfushor i avancuar apo edhe sulmues i fshehur, ndërsa ka fituar menjëherë zemrën e trajnerit Levi me paraqitjet e tij në stërvitje, por edhe në ndeshjen  miqësore që Flamurtari zhvilloi ndaj Bylisit,javën e kaluar. Edhe Greca ka hedhur zyrtarisht firmën në kontratë,ndërsa ndodhej në Vlorë prej gati 10 ditësh. Duhet thënë se me dy lojtarët e ardhur së fundmi organika e Flamurtarit pothuajse është e plotësuar, ndërkohë që në ditët në vijim priten edhe lojtarë të tjerë. Drejtuesit e klubit janë kujdesur që t’i plotësojnë të gjitha kërkesat trajnerit, për t’i afruar lojtarët që ai dëshiron për të arritur objektivat sezonalë. Ndërkohë, tekniku gjatë këtyre ditëve ka vazhduar përgatitjet me skuadrën me një regjim sportiv mjaft të rreptë.

 

6

Afrime zyrtare ka bërë deri më tani skuadra e Flamurtarit. Lojtarët kanë ardhur nga brenda dhe jashtë vendit, ndërsa numri i të larguarve është rreth 9 futbollistë.

www.sportekspres.com