Print

Flamurtari zyrtarizon Currin, Miliev s’e pranon provën!

Written by webmaster on . Posted in Futboll

Joomla
Joomla

Wordpress
Wordpress

Çdo gjë sipas parashikimeve në lidhje me mbrojtësin Debatik Curri, i cili dje është zyrtarizuar si lojtari më i ri i Flamurtarit. Lojtari kosovar e kishte arritur kohë më parë akordin me vlonjatët, por gjithçka ka formë zyrtare dje, ndërsa sot mbrojtësi me përvojë pritet të dalë në stërvitje me skuadrën e re, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Stanislav Levi. Curri, sipas drejtuesve të Flamurtarit, ka firmosur një kontratë njëvjeçare, me të drejtën e rinovimit edhe për një sezon tjetër. Vlonjatët zyrtarizojnë kështu titullarin e parë të qendrës së mbrojtjes, që kishte mbetur bosh, pas largimit të lojtarëve të sezonit të kaluar të këtij reparti.

Ardhja e kosovarit është një përforcim me vlera për Flamurtarin, pasi përvoja e tij edhe me Kombëtaren shqiptare do t’i shërbejë jo pak këtij ekipi. Partneri i Debatik Currit në qendër të mbrojtjes pritet të jetë bullgari Miliev, i cili ka disa ditë që ka mbërritur në Vlorë, por ende nuk ka nënshkruar. Po ashtu, një alternativë është edhe Renato Malota, ende pjesë e Kukësit, kurse Ndong nuk e ka bindur trajnerin Levi. Kujtojmë që Curri ishte pranë Flamurtarit edhe verën e kaluar, por më pas ai zgjidhi Tiranën, me të cilën luajti sezonin që shkoi. Tashmë ai do të veshë fanellën e dytë në kampionatin shqiptar, atë kuqezi të Flamurtarit.

MILIEV – Yordan Miliev ka ardhur të shtunën në Vlorë, por nuk mundi të luante në miqësoren me Bylisin. Ai ende nuk e ka hedhur firmën në kontratë, por duket se marrëveshja me të është shumë afër. Në fakt, mbrojtësi 27-vjeçar, i ardhur nga Shkëndija e Tetovës, ka pohuar se nuk ka nevojë për provë, pasi për të flet qartë cv-ja e tij, por trajneri Levi ngulmon që ta shohë më parë në stërvitje. Madje, ai i ka kërkuar dje bullgarit që të bëhet gati për stërvitje, por Miliev nuk ka pranuar ta bëjë këtë gjë, duke thënë se më parë duhet të firmosë kontratën përkatëse. Shumë shpejt pritet që marrëveshja mes palëve të zyrtarizohet dhe kështu Miliev do të ishte qendërmbrojtësi i dytë i afruar në skuadër. Ai dhe Curri, falë eksperiencës së tyre, do të përbënin një dyshe të fortë në kampionatin shqiptar. Më pas drejtuesve të klubit do t’u duhet të mendojnë për të përforcuar krahët e mbrojtjes. Kandidatët kryesorë janë Gledi Mici për krahun e majtë dhe Afrim Taku për krahun e djathtë. Por mund të afrohen edhe mbrojtës të tjerë, në mënyrë që trajneri çek të ketë sa më shumë alternativa.

 

Skeda e kosovarit

Emri:      Debatik Curri

Datëlindja:     28 dhjetor 1984

Vendlindja:     Prishtinë

Pozicioni:      Qendërmbrojtës

KARRIERA

2003–2005  Prishtina

2005–2010  Vorskla Polltava     (148 ndeshje

2010–2013  Gençlerbirligi (33 ndeshje)

2013       Hoverla Uzhhorod     (5 ndeshje)

2014       Sevastopol (7 ndeshje)

2014–2015  Tirana (27 ndeshje)

 

KOMBËTARJA

44 ndeshje

www.sportekspres.com