Print

Flamurtari pozitiv, bind çeku Trap

Written by webmaster on . Posted in Futboll

Flamurtari – Oriku   3-0  

Shënues: Bregu 30’, Buval 35’, A.Shehaj 52’

 

Flamurtari: Lika, Idrizaj, Kuqi, Zeqaj, Gjinaj, Trap, Telushi, Maxhuni, Lena, Bregu, Buval. Trajner: S.Levi. (U aktivizuan edhe Xhelilaj, Llambro, Boraku, Aliaj, Qejvani, Shehaj, Murataj, Çabraja, Ramadani e Bocaj).

Oriku: Hasani, Hoxha, Dhimitriu, Gjipali, Çaushaj, Gjondeda, Xhuveli, Azizaj, Kongjoni, Capoj, Nurçe. Trajner: A.Haxhiaj. (U aktivizuan edhe Këllçiu, Troka, Blushi e Kapo).

Gjyqtarë: K.Kola, R.Malaj, M.Llukmani

 

 

Elton Nika

 

Flamurtari luajti dje miqësoren e parë nën drejtimin e trajnerit çek, Stanislav Levi. Ndaj modestëve të Orikumit vlonjatët fituan 3-0, me gola të Bregut, Buvalit dhe Shehajt. Pas një jave përgatitjesh, stafi teknik preferoi këtë test ndaj skuadrës së Kategorisë së Dytë. Ndeshja nuk është zhvilluar në Orikum, por në fushën me bar sintetik, në zonën e Pyllit të Sodës, ku Flamurtari zhvillon çdo ditë stërvitjen.

Megjithatë, kjo miqësore është ndjekur nga një numër jo i vogël sportdashësish, si dhe administratori Sinan Idrizi dhe drejtues të tjerë të skuadrës. Kanë debutuar me fanellën e Flamurtarit dy afrimet e vetme deri tani, çeku Petr Trap, i cili ka lënë përshtypje shumë të mira, dhe kroati Dejan Çabraja. Po ashtu, janë aktivizuar edhe Ramadani dhe Murataj, dy lojtarë që janë në provë te skuadra vlonjate.

NDESHJA – Pjesa e parë ka qenë e gjitha nën dominimin e Flamurtarit, me raste të shumta shënimi. Lena, Telushi dhe Trap në mesfushë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë. Goli i parë do të vinte në minutën e 30-të dhe është shënuar nga talenti i Flamurtarit, Dejvi Bregu, pas një pasimi të saktë të Buvalit brenda zonës. Flamurtari ka luajtur mjaft mirë edhe në mbrojtje, me Idrizaj dhe Kuqin, por edhe me të rinjtë Zeqaj e Gjinaj.

Goli i dytë do të vinte 5 minuta më pas nga sulmuesi Bedi Buval, i cili ka gjuajtur saktë me kokë pas një krosimi në zonë. Në pjesën  e parë Flamurtari ka pasur edhe mundësi të tjera për të shënuar të paktën edhe një gol, ndërsa Oriku është munduar, por pa mundur të shënojë në portën e Ilion Likës.

Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Levi ka ndërruar thuajse gjithë skuadrën, duke hedhur në fushë një formacion tjetër. Ra në sy aktivizimi i Çabrajës, Muratajt dhe Ramadanit, këta të fundit në provë. Goli i tretë dhe i fundit ka për autor Ardit Shehan, i cili ka realizuar me kokë pas një krosi të saktë nga Qejvani. Murataj dhe Qejvani ishin ata që spikatën në këtë pjesë, duke krijuar edhe raste të tjera për gol.

Edhe trajneri i Orikut, Albert Haxhiaj, ka kryer zëvendësime të shumta gjatë pjesës së dytë, ndërkohë që rezultati përfundimtar është 3-0 në favor të Flamurtarit. Ishte vetëm testi i parë pas një jave përgatitjesh dhe vlonjatët do të punojnë deri më 31 korrik në qytetin e tyre. Më pas do të shkojnë në Slloveni për një fazë përgatitore dyjavore. Sigurisht, siç e thanë edhe të dy trajnerët, në këtë ndeshje nuk ishte i rëndësishëm rezultati, por gjendja e skuadrës.

www.sportekspres.com